SHEMBUJT E PRAKTIKAVE MË TË MIRA: Zhvillimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës

Për të ilustruar se si pjesëmarrja e publikut mund të përmirësojë vendimmarrjen mjedisore, ekipi CO-SEED mblodhi studime të rasteve nga e gjithë bota. Rasti studimor më poshtë është pjesë e serisë sonë të shembujve që do të ndajmë me ju në vazhdim:

Theksi: Vendimmarrja transparente dhe gjithëpërfshirëse sjell zgjidhje që pranohen dhe mbështeten nga një grup i gjerë palësh interesi.  

Sipas ligjit, Plani i Përgjithshëm Vendor i përgatitur për Bashkinë e Tiranës duhej t’i nënshtrohej një VSM-je. Informacionet lidhur me këtë proces ishin të disponueshme në internet (në faqen e Bashkisë, dhe faqen e zhvilluesve të VSM-së), në kanale televizive, dhe gazeta. VSM-ja gjithashtu iu përcoll OJQ-ve mjedisore me anë të emailit.

Data fillestare e dëgjesës publike u shty në një datë të mëvonshme për t’iu lënë kohë të mjaftueshme palëve të interesuara të lexonin dokumentet përkatëse (meqë ato u shpërndanë një ditë para datës së dëgjesës). Dëgjesa publike u ndoq nga palë të shumta interesi, ku përfshiheshin: OJQ mjedisore, ekspertë të pavarur të mjedisit, qytetarë të Tiranës, studentë, gazetarë, pjesëtarë të sektorit të biznesit, si dhe përfaqësues zyrtarë të bashkisë dhe ministrive përkatëse. Përpos komenteve gjatë dëgjesave publike, palët e interesit i ndanë mendimet e tyre me shkrim me konsulentin përgjegjës për përgatitjen e VSM-së.    

Ky proces i pjesëmarrjes publike solli ndryshimin e planit të zhvillimit duke siguruar marrjen parasysh të zonave dhe korridoreve të gjelbra, transportit publik, zonave të reja të kontrollit të zhvillimit, dhe përmirësimeve të trashëgimisë arkitekturore të qytetit.