SHEMBUJT E PRAKTIKAVE MË TË MIRA: Programi i zhvillimit rural, Slloveni

Për të ilustruar se si pjesëmarrja e publikut mund të përmirësojë vendimmarrjen mjedisore, ekipi CO-SEED mblodhi studime të rasteve nga e gjithë bota. Rasti studimor më poshtë është pjesë e serisë sonë të shembujve që do të ndajmë me ju në vazhdim:

Shkëmbimi i dyanshëm i informacionit sjell si rrjedhojë një zhvillim më të përhapur.

Kur Sllovenia po hartonte Programin e Zhvillimit Rural, u krye  një VSM për të analizuar përputhshmërinë me objektivat mjedisore të vendit. Ministria përgjegjëse ftoi publikun të merrte pjesë gjatë të gjithë procesit, si dhe u zhvillua një model i veçantë për ndarjen e informacionit dhe bashkëpunim. Sigurimi i pjesëmarrjes së organizatave të ndryshme në nivel vendor dhe rajonal, partnerëve socialë, OJQ-ve, dhe profesionistëve, ishte thelbësor.   

Ministria përgjegjëse publikoi në faqen e saj propozimin për Programin e Zhvillimit Rural dhe mori 50 vërejtje nga individë dhe organizata. Komunikimi ndërmjet publikut dhe Ministrisë ishte proces i dyanshëm. Ministria dha përgjigje dhe mendime me shkrim lidhur me çdo sugjerim, propozim dhe pyetje. Për publikun e interesuar Programi ishte i disponueshëm në CD, në formë të shkruar, si dhe nëpërmjet emailit. Krahas kësaj, Ministria ngriti një forum në një faqe interneti ku zyrtarët publikë mund t’iu përgjigjeshin pyetjeve të ndryshme. Gjithashtu u zhvilluan disa takime bashkërenduese, workshop-e, dhe botime lidhur me propozimin për Programin.  

Në media u publikuan hollësitë rreth dëgjesës publike. Pas kësaj dëgjese, Ministria nxori një propozim të ri për një Program të përditësuar në bazë të vërejtjeve të bëra gjatë dëgjesës publike. Para nxjerrjes së propozimit të ri, u shpjeguan arsyet pse vërejtjet dhe sugjerimet ishin apo nuk ishin pasqyruar në Programin e përditësuar.