SHEMBUJT E PRAKTIKAVE MË TË MIRA: OJQ mjedisore kundër zhvillimit të paplanifikuar, Belgjikë

Për të ilustruar se si pjesëmarrja e publikut mund të përmirësojë vendimmarrjen mjedisore, ekipi CO-SEED mblodhi studime të rasteve nga e gjithë bota. Rasti studimor më poshtë është pjesë e serisë sonë të shembujve që do të ndajmë me ju në vazhdim:

Duhet dëgjuar zëri i popullsisë vendase lidhur me zhvillimin e mjedisit ku jetojnë.

Zhvillimi i një zone industriale duhet të jetë në përputhje me skemën e planifikimit bashkiak. Megjithatë, në një bashki belge, skema e planifikimit bashkiak u shfuqizua pa u zëvendësuar me asnjë dokument të barasvlershëm. Njëkohësisht, bashkia miratoi zhvillimin e një zone industriale.  

Inter-Environnement Wallonie, OJQ-ja mjedisore ombrellë në pjesën frëngjisht-folëse të Belgjikës, me anë të mjeteve ligjore, e kundërshtoi urdhrin për shfuqizimin e skemës së planifikimit me arsyen se prekte garancitë procedurale dhe si rrjedhojë ishte shkelje e detyrimit të parashikuar në Kushtetutë për të drejtën e mbrojtjes së shëndetit mjedisor. Më konkretisht: 1) zona nuk do të zhvillohej në përputhje me standardet dhe rregulloret përkatëse; 2) banorët vendas nuk do të përfitonin një vlerësim të ndikimit në mjedis të programit për zonën në fjalë; 3) nuk do të dëgjohej zëri i banorëve lidhur me mënyrën se si do të zhvillohej zona.   

Gjykata vërejti se para miratimit të urdhrit kërkohej që zona e zhvillimit industrial të ishte në përputhje me skemën e planifikimit bashkiak për të gjithë zonën. Kjo përputhshmëri duhet të ishte vërtetuar edhe nëpërmjet një vlerësimi të ndikimit në mjedis, krahas hapave të tjerë proceduralë. Për këtë arsye, Gjykata vendosi që nuk ishte kryer procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis në përputhje me Direktivën e BE-së për VNM-në, si dhe të Konventës Aarhus, dhe gjithashtu kërkoi rregullimin e këtyre problemeve.