SHEMBUJT E PRAKTIKAVE MË TË MIRA: Fëmijët kundër prerjes së tepërt të drurëve, Filipine

Për të ilustruar se si pjesëmarrja e publikut mund të përmirësojë vendimmarrjen mjedisore, ekipi CO-SEED mblodhi studime të rasteve nga e gjithë bota. Rasti studimor më poshtë është pjesë e serisë sonë të shembujve që do të ndajmë me ju në vazhdim:

Ekologjia e ekuilibruar dhe e shëndetshme është e drejta e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.  

Lidhur me çështjen Oposa, Gjykata e Lartë në Filipine pranoi një ankim nga një grup fëmijësh në emër të tyre dhe brezave të ardhshëm kundër veprimtarive të tepërta të prerjes së drurëve të lejuara nga Departamenti i Mjedisit.

Ankimi bazohej në të drejtën e “një ekologjie të ekuilibruar dhe të shëndetshme”, e cila u përfshi në Kushtetutë në vitin 1987.

Gjykata e Lartë vendosi që ankimuesit mund të ngrinin një padi të përbashkët, si individë, në emër të brezit të tyre dhe atyre të ardhshëm. E drejta e tyre për të paditur bazohej në konceptin e përgjegjësisë ndër breza, lidhur me ekologjinë e ekuilibruar dhe të shëndetshme. Kjo e drejtë i jepte rëndësi “ritmit dhe harmonisë së natyrës”.     Këtu përfshiheshin, ndër të tjera, vendimet e drejta, përdorimi, menaxhimi, ripërtëritja dhe ruajtja e pyjeve, mineraleve, tokave, ujërave, peshkimit, botës së egër, zonave në det të hapur, dhe burimeve të tjera natyrore të vendit. Përpos kësaj, eksplorimi, zhvillimi, dhe përdorimi i tyre duhet të ishte njëlloj i aksesueshëm si për brezin e tanishëm ashtu edhe për brezat e ardhshëm.

Gjykata vendosi t’i anulonte të gjitha lejet ekzistuese për prerjen e drurëve, dhe të ndalonte miratimin e lejeve të reja lidhur me këtë çështje, të cilat nuk janë në përputhje me të drejtat e përgjithshme mjedisore.