Ndërtimi i një hoteli pranë liqenit Eymir (Ankara)

Pjesëmarrja e gjerë dhe e larmishme publike solli diskutime të frytshme dhe nxiti përfshirjen konstruktive të komuniteteve vendore në vendimmarrje, si rrjedhojë e të cilës ishte ruajtja e një zone të mbrojtur.

150 metra larg liqenit Eymir në Ankara u planifikua të ndërtohej një hotel. Zona përreth liqenit përfshin një pyll, i cili është brenda kufijve të një zone rreptësisht të mbrojtur. Vetë liqeni është shtëpia e qindra llojeve të shpendëve, bimëve dhe kafshëve. Ai gjithashtu është brenda kufijve të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme.

Kur nisi procesi VNM për ndërtimin e hotelit, nën drejtimin e Dhomës së Inxhinierëve të Mjedisit, shoqëria civile, dhe publiku i gjerë u informuan për projektin dhe ndikimet e tij të mundshme nëpërmjet veprimtarive në liqen, fushatave në rrjetet sociale, dhe publikimeve të tjera në media. Dhoma dha deklarata për shtyp, anëtarët e parlamenti vizituan zonën, dhe u ngrit një forum OJQ për të diskutuar lidhur me efektet e projektit të ndërtimit. Te liqeni u mbajt një takim publik, dhe anëtarët e parlamentit e vizituan për së dyti zonën pas nisjes së një fushate në rrjetet sociale “#Protect Eymir” (#Mbroni Eymir-in).

Niveli i pjesëmarrjes ishte shumë i lartë ditën e takimit të konsultimeve publike. Pjesëmarrësit ishin nga gjithë Ankaraja, duke përfshirë shoqërinë civile, publikun e gjerë, akademitë, dhe median. Publiku ishte i mirëinformuar rreth projektit të ndërtimit të hotelit dhe efekteve të tij në zonën përreth. Publiku i drejtoi pyetje kompanisë investuese rreth mungesës së objekteve të trajtimit, rrezikut që i kanosej shpendëve dhe kafshëve në zonë, dhe perceptimit të gabuar se liqeni ishte nën përdorimin ekskluziv të Universitetit. Përgjigjet e kompanisë nuk i bindën pjesëmarrësit, dhe përfaqësuesit e shtypit i regjistruan diskutimet. Pas takimit konsultues, kompania investuese vendosi mos ta vazhdonte procesin VNM dhe hoqi dorë nga projekti.